Sipas Federatës, deri më 09.07.2026 pagat e punëtorëve ende nuk janë ekzekutuar, ndërsa këtë situatë e kanë cilësuar si shkelje e një të drejte themelore të punës dhe e dinjitetit të punëtorëve.
"Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye"- thuhet në letrën drejtuar krerëve të institucioneve.
Federata vlerëson se është e papranueshme që transmetuesi publik të funksionojë në kushte kur punëtorët presin pagat e tyre pa afat të qartë, pa transparencë dhe pa komunikim zyrtar nga organet drejtuese.
Në reagim, kjo federatë akuzon edhe Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së për mungesë transparence, profesionalizmi dhe llogaridhënieje, duke theksuar se heshtja dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme.
Përmes kësaj letre, Federata Sindikale u ka bërë thirrje Presidentes në detyrë dhe Kryeministrit në detyrë që, të ndërmarrin veprime për zgjidhjen urgjente të situatës dhe të garantojnë ekzekutimin e menjëhershëm të pagave.
Po ashtu, është kërkuar edhe llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe marrja e masave që raste të tilla të mos përsëriten.
Federata ka paralajmëruar se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, do të përshkallëzojë veprimet sindikale dhe do të ndërmarrë procedura ligjore pranë institucioneve kompetente.
"Punëtorët e RTK-së nuk do të pranojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në praktikë të zakonshme. Ata nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë, neglizhencës apo keqmenaxhimit institucional"- thuhet në fund të reagimit.
Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) deri më sot, (09.07.2026) ende nuk i kanë pranuar pagat e tyre për muajin qershor.
Në një njoftim që punëtorët e RTK-së e kanë marrë më 06.07.2026 thuhet se kjo vonesë është shkaktuar për shkak se buxheti i RTK-se për 6 mujorin e dytë ende nuk është transferuar nga Thesari i shtetit.
KALLXO.com më 06.07.2026 ka drejtuar pyetje tek ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së RTK-së, Zana Spahiu në lidhje me mospagesën e punëtorëve por ende nuk ka pranuar përgjigje.
Punonjësit e RTK-së ende pa paga të qershorit, Fedarata Sindikale paralajmëron veprime
Pa paga për 25 ditë: Punëtorët e RTK-së vazhdojnë grevën.