Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se viktima është Gazmend Tahirovci, imam i fshatit Zlipotok.
Motivet e ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa i dyshuari, B.H., vazhdon të jetë në arrati.
Më 30.06.2026, Policia e Kosovës konfirmoi se një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara me mjet të mprehtë.
Policia bëri të ditur se rreth orës 23:15 ishte njoftuar se në fshatin Zlipotok të Dragashit kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.
"Me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë" – tha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ekipi mjekësor nga QKMF-ja në Dragash ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
Policia ka identifikuar si të dyshuar B.H., rreth 40-vjeçar, po ashtu nga fshati Zlipotok.
"I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij" – deklaroi Bytyqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren dhe njësi të tjera policore, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin e shtetit.
Vritet një person në Dragash, i dyshuari në arrati.