Veç deputetit të Vlorës Bujar Leskaj i cili sot e shprehu hapur qëndrimin e tij kundër bojkotit përmes një statusi në Facebook, Euronews Albania ka siguruar mesazhet mes deputetëve në një grup WhatsApp-i, ku Jorida Tabaku, Ina Zhupa por dhe Leskaj kanë shprehur rezervat e tyre për bojkotin duke e konsideruar një lëvizje të gabuar.

Mesazhet mes deputetëve demokratë janë shkëmbyer mbrëmjen e së dielës, para bojkotit në seancën plenare të së hënës.

Ditën e sotme përmes një statusi të gjatë në Facebook, deputeti demokrat Bujar Leskaj shprehet se mungesa e PD në atë seancë ishte një gabim politik dhe institucional.

Sipas tij me këtë vendimmarrje PD humbi mundësinë për të denoncuar fort disa rase duke nisur që nga "vota e manipuluar e diasporës në zgjedhjet e 11 majit" deri te "përfaqësimi i kërkesave dhe pakënaqësive të qytetarëve në protestë".